Dardakos
  Lajmet
 

Nuk mendojmë për forca serbe të sigurisë, thotë Bogdanoviq
J.Z. on 01/21/2009 at 10:50pm (UTC)
 

Formimi i armatës së re të Kosovës është kërcënim për sigurinë kombëtare të Serbisë, dhe Serbia do t'i përdorë të gjitha përpjekjet diplomatike që ta luftojë atë, ka deklaruar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç.
"Nuk ka ndonjë mënyrë që Serbia ta shohë të ashtuquajturën Forcë të Sigurisë së Kosovës, përveç si kërcënim direkt ndaj sigurisë kombëtare të saj, si dhe ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor", ka thënë Jeremiç në një konferencë për shtyp në Lubjanë.

"Ne do të vazhdojmë të protestojmë fuqimisht duke i përdorur të gjitha përpjekjet dhe mënyrat diplomatike që të shpërndahet ky grup paramilitar", ka thënë Jeremiç.

Ndërkohë në Beograd, ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviq ka deklaruar se Beogradi nuk mendon për formimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, sepse kjo vetëm do t'i ngriste tensionet.

"Qëllimi ynë është çmilitarizimi i Kosovës, dhe do të luftojmë me të gjitha mjetet diplomatike që forcat e Kosovës të mos funksionojnë", tha Bogdanoviq.

Forca e Sigurisë së Kosovës është ngritur zyrtarisht sot pas mesnate.

 

Ministri Rashiq takoi ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë‏
J.Z. on 01/21/2009 at 10:47pm (UTC)
 Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Ivo Ivanov. Gjatë këtij takimi Rashiq e ka njoftuar ambasadorin Ivanov për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe angazhimet e kësaj ministrie në hartimin, zhvillimin dhe implementimin e politikave të punës, punësimit dhe të mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ministri Rashiq gjithashtu ka falënderuar shtetin bullgar për ftesën nga ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale të Bullgarisë, Emilia Masllarova, që i mundësoi pjesëmarrjen e delegacionit nga Kosova, që kryesohej nga ministri Rashiq, në Konferencën Regjionale të Nivelit të Lartë për Burime Njerëzore, mbajtur në maj të vitit 2008, në Sofje të Bullgarisë.

Nga ana e tij Ivanov ka falënderuar ministrin e MPMS për pritjen, duke u fokusuar në gjetjen e mundësive për zhvillim bilateral të marrëdhënieve në mes MPMS-së dhe ministrisë simotër të Bullgarisë.

 

Presidenti Sejdiu uroi Presidentin Obama dhe falënderoi Presidentin Bush
J.Z. on 01/21/2009 at 10:46pm (UTC)
  Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i ka dërguar mbrëmë një telegram urimi Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Barack Obama, nëpërmjet të cilit i ka shprehur urimet më të përzemërta për zgjedhjen president i 44-të i SHBA-ve. Sejdiu po ashtu, në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ka falënderuar Presidentit të deritashëm, z. George W. Bush për rolin dhe mbështetjen e tij gjatë tetë vjetëve të fundit si President i SHBA-ve.

 

Presidenti Obama: Do t'u dalim përballë të gjitha sfidave
J.Z. on 01/21/2009 at 10:45pm (UTC)
 
"Unë kam parë tokën e premtuar. Unë mund të mos arrij atje me ju, por dua që ta dini se si popull ne do të arrijmë në tokën e premtuar", thoshte 40 vjet më parë një ditë para se të vritej lideri i lëvizjes për të drejta civile në Amerikë, Martin Luther Kung-u. Ky vizion i tij si amanet për bashkëkombësit u bë realitet dje me betimin e presidentit Barack Obama, në ceremoninë ndër më historike jo vetëm për Amerikën por për gjithë njerëzimin.
Kurrë më parë në historinë amerikane nuk është vërejtur një festim, kremtë e tillë, siç u zhvillua në Washington me rastin e ceremonisë së betimit të presidentit të ri amerikan, Barack Obama.
Nje entuziazëm i tillë, por jo i këtyre përmasave, thonë kronistët, ishte parë me rastin e inagurimit të presidentit më të ri në historinë amerikane, John Kennedy-t në fillim të viteve të 60-ta. Dhe dje në trekëndëshin prej Kongresit përgjatë Parkut Kombëtar deri tek
Memoriali i Abraham Lincoln-it dhe Shtëpisë së Bardhë ishin mbledhur rreth dy milionë njerëz.
Pikërisht në mesditë, presidenti Obama bëri betimin para
kryegjyqtarit të Gjykatës Supreme Amerikane, John Roberts, duke u bërë kështu presidenti i 44-të me radhë i ShBA. Ai e bëri betimin duke vendosur dorën mbi të njejtën bibël mbi të cilën e kishte bërë betimin para 150 vjetësh ish presidenti Abraham Lincoln.
"Unë Barack Hussein Obama betohem solemnisht se do të ekzekutojë me besnikëri detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të jap
maksimumin tim, do të ruaj, do të përkrah dhe do të mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, Zoti më ndihmoftë." Betimin e bëri edhe zëvendëspresdienti i ri amerikan, Joseph Biden.

 

Shënohet trevjetori i vdekjes së Ibrahim Rugovës
J.Z. on 01/21/2009 at 10:43pm (UTC)
 
Në tre vjetorin e vdekjes, liderët kryesorë të vendit, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, nderuan veprën dhe punën e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Të dy së bashku bënë homazhe pranë varrit të ish presidentit duke vlerësuar se Kosova e pavarur është kontribut i punës dhe veprimtarisë politike të Ibrahim Rugovës. Në tre vjetorin e vdekjes së tij, kryesia e LDK-së, ka vendosur që të themelojë fondacionin për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, “ Ibrahim Rugova”.
Me vlerësimet më të lartë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës , liderët kryesorë të shtetit por edhe zyrtarët partiak, e nderuan ish presidentin Ibrahim Rugova, në tre vjetorin e vdekjes së tij. Presidenti, Fatmir Sejdiu, së bashku me kryeministrin, Hashim Thaçi , bënë homazhe tek varri i ish presidentit. Sejdiu vlerësoi se Ibrahim Rugova ishte personalitet unikat që ka dhënë kontribut deri në shkrirje për Kosovën e pavarur. “ Rugova bashke me Adem Jasharin komandantin legjendarë të UÇK-së, mbeten një binom i pashkëputshëm për luftën, rezistencën, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot falë këtyre sakrificave dhe gjithë njerëzve të këtij ideali kemi Kosovën e pavarur të njohur nga 54 shtete ”, tha Sejdiu.

 

Aktivizohet Forca e Sigurisë së Republikës së Kosovës
J.Z. on 01/21/2009 at 10:40pm (UTC)
  Sot në ora 00:01, mbështetur në kompetencat ligjore, sipas Ligjit për Ministrinë e FSK-së dhe Ligjit për Forcën e Sigurisë, ministri i FSK-së Fehmi Mujota, urdhëroi Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Sylejman Selimin, të bëjë aktivizimin e FSK-së. Aktivizimi i FSK-së shënon rrethanat e ndryshuara në Kosovë dhe lindjen e epokës së re, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar sot nga Zyra për marrëdhënie me publikun poranë FSK-së.
FSK-ja është forcë profesionale, politikisht neutrale, shumetnike, lehtë e armatosur. FSK-ja po ndërtohet sipas standardeve të NATO-së dhe është e mbikëqyrur nga institucionet civile dhe demokratike. Kjo është në përputhje me aspiratat e vazhdueshme të Kosovës drejt integrimit Euro-Atlantik.

Misioni i FSK-së është që të zhvillojë operacione të reagimit ndaj krizave dhe të mbrojtjes civile në Kosovë, si dhe t’i ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera. Detyrat e tilla do të përfshijnë operacionet e kërkim-shpëtimit; mënjanimit të mjeteve shpërthyese; kontrollit dhe pastrimit të materieve të rrezikshme; zjarrfikës; si dhe detyra të tjera të ndihmës humanitare .

Pjesëtarët e FSK-së do të jenë të rekrutuar nga të gjitha komunitetet e Kosovës, përmes një procesi formal, pavarësisht prej gjinisë, përkatësisë etnike apo religjionit. FSK-ja do t’i ketë 2 mijë e 500 pjesëtar aktiv dhe 800 rezervë.

Këtë vit nga mbarë Kosova do të përzgjidhen 315 shtetas që do t’i bashkëngjiten FSK-së. Për FSK-në mund të aplikojnë të gjithë meshkujt dhe femrat nga mosha 18 deri 25 vjeçare, kurse nga mosha 18-30 vjeçare për grada të oficerëve. Përzgjedhja do të bazohet në arsimim, zotësi, gjendje shëndetësore dhe përgatitje fizike, në pajtim me nevojat dhe prioritetet e FSK-së.

Vendi i punës në FSK nënkupton një karrierë sfiduese dhe profesionale, përderisa u ndihmon të tjerëve. FSK-ja do të jetë e zotuar që t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Kosovës, thuhet në komunikatën për opinion të lëshuar nga Zyra për marrëdhënie me publikun pranë FSK-së.


 

<-Back

 1 

Continue->

 
  Copyright © Dardakos All right reserved - 8 visitors (11 hits)  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free