Vendbanimet
Ilirët e kohës së hekurit jetonin në fshatra dhe në vendbanime të fortifikuara. Të parët nuk njihen dhe aq mirë për arsye se nuk janë gjurmuar në mënyrë të mjaftueshme. Në burimet e shkruara ato dokumentohen nga fundi i kësaj periudhe, në fiset më jugore ilire, nëpërmjet Pseudo-Skylaksit, i cili thotë se kaonët, thesprotët dhe molosët banonin në fshatra. Ky njoftim i shkurtër, që me sa duket i referohet një burimi më të hershëm, nuk ndihmon shumë për të krijuar një ide të qartë mbi karakterin e këtyre vendbanimeve. Me sa mund të gjykohet nga të dhënat arkeologjike, vendbanimet fshatare ilire të kësaj kohe formoheshin nga grupe shtëpish të grumbulluara sipas njësive shoqërore që përfaqësonin, d.m.th. mbi bazën e një familjeje të madhe patriarkale ose të një grupi familjesh të tilla, që i përkisnin një vëllazërie. Një mendim të tillë e sugjerojnë, të paktën për vendbanimet respektive të tyre, nekropolet tumulare të Matit, të cilat përbëhen nga grupe të vogla tumash, të vendosura në tarraca, në luadhe e në toka buke gjatë luginës së lumit. Po kjo gjë përsëritet në tumat e Kukësit, ato të pellgut të Korçës, të luginës së Drinos e gjetkë. Edhe vendbanimet fshatare të gjurmuara në luginën e Vjosës japin të njëjtën tablo. Në të gjitha rastet ato paraqiten si vendbanime të vogla e të shpërndara pranë tokave bujqësore. Burimet e shek. V p.e.sonë dëshmojnë se vendbanimet e hapura fshatare të këtij lloji kanë qenë tipike jo vetëm për Ilirinë, por edhe për krahinat fqinje të Maqedonisë në lindje dhe të Akarnanisë e Etolisë në jug. Gjatë kohës së hekurit vazhdojnë të mbijetojnë edhe palafitet si vendbanime të trashëguara nga epokat e mëparshme. Herodoti në “Historitë” e tij përshkruan me shumë hollësi një vendbanim të tillë buzë liqenit Prasaida të Panonisë. Arkeologjikisht ato janë vërtetuar gjithashtu në fshatin Knetë të Kukësit dhe jashtë territorit shqiptar, në Donja-Dolina e Ripaç të Bosnjës dhe në Otok afër Sinjit në Dalmaci. Krahas vendbanimeve fshatare të pambrojtura në kohën e hekurit përhapen gjerësisht vendbanimet e fortifikuara me mure. Të njohura që nga koha e bronzit të vonë, ato evoluojnë dhe bëhen një nga elementet më karakteristike për epokën e hekurit. Në gjuhën e popullit këto vendbanime njihen me emrat qytezë, kala ose gradina. Për Ilirinë e Jugut janë karakteristike qytezat apo kalatë e fortifikuara me mure gurësh. Ato janë të ngritura mbi kodra të mbrojtura dhe me pozitë mbizotëruese e horizont të gjerë shikimi. Kufijtë e vendbanimit i përcaktonin muret rrethuese. Linja e murit ndjek relievin e terrenit duke shfrytëzuar aftësitë mbrojtëse të tij dhe ndërpritet aty ku mbrojtja nuk është e nevojshme. Muret ndërtoheshin me gurë të mëdhenj e mesatarë të palatuar, formuar nga dy këmisha anësore dhe bërthama e mesit që mbushej me gurë të vegjël. Trashësia e tyre luhatet nga 3,10-3,50 m. Mungojnë në këtë sistem të hershëm fortifikimi kullat, kurse portat janë në përgjithësi të vogla. Në ndonjë rast ato janë pajisur me një korridor që ndihmonte mbrojtjen. Lartësia e këtyre mureve, e ruajtur deri në ditët tona arrin 2,50-3 m, por trashësia e tyre tregon se kanë pasur një ngritje të madhe. Megjithatë duhet menduar se mbi këtë nivel, fortifikimi do të ketë qenë plotësuar me gardhe hunjsh. Madhësitë e këtyre vendbanimeve ndryshojnë nga një rast në tjetrin. Më të voglat kanë një shtrirje prej 1-2 ha, kurse të tjera si Gajtani arrinin deri 4-5 ha. Zgjerimet e mëvonshme kanë bërë që brenda mureve rrethuese të përfshihen sipërfaqe më të gjera, siç është rasti i kalasë së Trajanit (Korçë), i kalasë së Lleshanit (Elbasan), i kalasë së Karosit (Himarë), që zënë 15-20 ha. Në këto raste vendbanimet paraqiten me 2-3 e më shumë radhë muresh. Shumë të pakta janë dijet për ndërtimet e brendshme të këtyre vendbanimeve. Gjurmët e ruajtura në sipërfaqe dëshmojnë se për ndërtimin e banesave është përdorur gjerësisht sistemi i tarracave, që përcaktohej nga terreni i thyer i faqeve të kodrave mbi të cilat shtriheshin vendbanimet. Si lëndë për ndërtimin e banesave është përdorur kryesisht druri e shumë më pak guri. Ndryshe nga territori i Ilirisë Jugore, në krahinat lindore ilire ishin vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të njohura me emrin “gradina”. Ato ndeshen me shumicë në tokat e banuara nga dardanët, si në rrafshin e Glasinacit e gjetkë. I vetmi vendbanim i këtij lloji në Shqipëri është ai i zbuluar në Shuec të Bilishtit. Gradinat janë të vendosura mbi kodra mbizotëruese. Ledhet mbrojtëse të tyre formoheshin nga masa dheu apo gurësh, që arrinin 7-15 m gjerësi. Sistemi i mbrojtjes plotësohej me sa duket nga një gardh hunjsh, që ngrihej mbi ledhin dhe në disa raste nga një hendek që rrethonte vendbanimin. Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të vendosura në një mjedis të pasur me toka buke e kullota, që formonin bazën e ekonomisë së tyre. Në disa raste, siç tregojnë të dhënat arkeologjike, në to zhvillohej edhe një veprimtari e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin vendbanimet e hapura fshatare, me të cilat formonin së bashku njësi të caktuara ekonomiko-shoqërore. Vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të krahinave të brendshme e veriore ilire, janë zakonisht më të vogla se vendbanimet e fortifikuara të Ilirisë Jugore. Në shumicën e rasteve ato gjenden në një mjedis kullotash alpine, si në Glasinac apo në tokat e brendshme dalmate dhe ishin qendra grupesh të vogla fisnore të një popullsie baritore. Në të dyja rastet lindën në këtë kohë edhe kryeqendra të këtyre vendbanimeve, që dallohen nga të tjerat prej madhësisë dhe pozitës gjeografiko-ekonomike qendrore. Si të tilla, me sa duket ato janë edhe qendra të një fisi të madh ose të një bashkimi të gjerë fisnor. Aty nga fundi i kohës së hekurit (shek.VII-V p.e.sonë), disa prej tyre marrin pamjen e qendrave protourbane.
Zhvillimi i bujqësisë, i blegtorisë, i zejtarisë dhe i këmbimeve
Burimet e shkruara dhe ato arkeologjike dëshmojnë se, gjatë kësaj periudhe, ilirët merreshin si dhe më parë kryesisht me bujqësi dhe me blegtori. Bujqësia u zhvillua sidomos në zonat fushore dhe në përgjithësi në krahinat pjellore të vendit. Ilirët kultivonin në këtë kohë të gjitha llojet e drithërave. Jo rastësisht, krahina të veçanta ilire, si Paionia dhe Thesprotia, përmenden që në eposin homerik si vende frytdhënëse dhe pjellore, d.m.th. të përshtatshme për kulturat bujqësore. Hesiodi, shkrimtar grek i shek. VIII-VII p.e.sonë, do ta cilësojë gjithashtu si shumë pjellore fushën e Helopisë, ndërsa sipas historianit grek Hekateut (fundi i shek. VI-V p.e.sonë), në Iliri kishte krahina që prodhonin deri dy herë në vit. Më vonë Skymni, duke përsëritur në vargjet e tij Hekateun, shton se popullsia ilire që banonte në viset e brendshme merrej me lërimin e tokës. Krahas bujqësisë, në Iliri, veçanërisht në zonat bregdetare të saj dhe në krahinat e ulëta kodrinore me klimë të butë, qenë kultivuar dhe rrushi e ulliri. “I ngrohtë dhe frytdhënës ka qenë ky vend, shkruan historiani dhe gjeografi grek Straboni në veprën e tij “Gjeografia” (shek. I e.sonë); ai është plot me ullishta dhe vreshta”, vijon ky autor, përveç disa krahinave të pakta ku toka është fare e ashpër. Që ilirët merreshin me vreshtari, këtë e dëshmojnë farërat e rrushit të zbuluara në disa nga vendbanimet e kohës. Kushtet e përshtatshme tokësore dhe klimatike ndihmuan jo më pak edhe për kultivimin e perimeve, si të bishtajës, të bathës, të bizeles, etj., si dhe të kulturave frutore, si p.sh. të mollës, të dardhës, të qershisë etj., të gjitha këto janë të dëshmuara nga farërat e gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike. Ilirët shfrytëzonin në këtë periudhë edhe bletët, prej të cilave ata siguronin mjaltin dhe dyllin. Sipas Aristotelit, taulantët e përdornin mjaltin edhe për të bërë një lloj pijeje të ngjashme me atë të verës së ëmbël dhe të fortë. Tek ilirët ishte e zhvilluar edhe blegtoria, madje në krahinat e brendshme malore ajo përbënte bazën kryesore të ekonomisë së tyre. Hesiodi duke e cilësuar Helopinë si një fushë shumë pjellore dhe me livadhe të gjera, shton se ajo është e pasur me tufa delesh dhe me qé këmbëharkuar, ndërsa Pindari, do ta vlerësonte, në shek. V p.e.sonë, këtë krahinë si ushqyese të shkëlqyeshme të gjedhit. Hekateu gjithashtu bën fjalë për kullota të pasura të Adrias (krahinë bregdetare e Ilirisë), dhe për bagëtinë e saj me pjellshmëri të lartë. Si te ky autor i hershëm, ashtu dhe tek të tjerët, që përsërisnin më vonë këto njoftime, ato shpesh paraqiten të veshura me hollësira fantastike. Por duke lënë mënjanë teprimet e tyre, këto burime, sidoqoftë, flasin për një blegtori të zhvilluar tek ilirët. Kujdesi që tregonin ilirët për mbarështimin e bagëtisë vihet re edhe nga tregimi i Aristotelit për kriporet e autariatëve dhe ardianëve. Konfliktet e shpeshta midis këtyre dy fiseve për këtë kripore, shprehin shqetësimet e blegtorëve ilirë lidhur me këtë produkt shumë të vlefshëm për jetën e gjësë së gjallë. “Kripa, - thotë Aristoteli, - u duhet atyre për kafshët, të cilave ua japin dy herë në vit, përndryshe shumica u ngordh”. Midis kafshëve shtëpiake më të parapëlqyera ishin qetë, delet, derrat, qentë etj., për të cilat flasin si burimet historike, ashtu edhe vetë materiali kockor i zbuluar dendur në vendbanimet e ndryshme të kësaj periudhe. Ilirët shquheshin edhe si rritës të mirë të kuajve. Këta të fundit ishin të shpejtë në vrapime dhe të qëndrueshëm në punë, siç na thonë burimet e mëvonshme. Krahas blegtorisë, ilirët merreshin edhe me gjueti, megjithëse kjo veprimtari nuk luante ndonjë rol aq të rëndësishëm në jetën ekonomike të tyre. Të përmendur ishin në atë kohë qentë e gjahut të Mollosisë, por akoma më të shquar ata që ruanin kopetë e bagëtive. Këta të fundit sipas burimeve të shkruara, ua kalonin qenve të tjerë për trupin e tyre të lartë dhe guximin e madh në kacafytje me bisha të egra. Skenat e gjuetisë së ilirëve na janë pasqyruar edhe në artin figurativ ilir të kësaj kohe. Për t’u përmendur në këtë drejtim janë ato që zbukurojnë vazot me fund të ngushtë (situlat) prej bronzi të zbuluara në krahinat veriore të Ilirisë. Nga kafshët e egra më tepër çmoheshin derri, dreri etj. Ky i fundit u jepte gjahtarëve ilirë jo vetëm mishin dhe lëkurën, por edhe brirët prej të cilëve ata punonin vegla të ndryshme dhe zbukurime. Të tilla vegla ndeshen shpesh nëpër vendbanimet ilire të periudhës së hekurit. Deti, liqenet si dhe lumenjtë, që e përshkonin Ilirinë në drejtime të ndryshme, u dhanë mundësi banorëve pranë tyre të merreshin që herët edhe me peshkim. Këto burime ujore përmbanin sasi të shumta peshku. Kështu, p.sh. ilirët që jetonin pranë liqenit Prasiada të Peonisë, zinin, sipas Herodotit, shumë peshk. Përparime të dukshme vihen re edhe në metalurgji. Kjo duket si në intensifikimin e nxjerrjes së mineraleve, ashtu dhe në zgjerimin e madh të prodhimit të objekteve metalike. Nëpër vendbanimet dhe në varrezat ilire të kësaj kohe gjejmë sasira të konsiderueshme armësh dhe veglash prej hekuri dhe bronzi, orendi të ndryshme shtëpiake dhe një mori të madhe shumë të larmishme stolish, të cilat tregojnë pa dyshim për një konsum të madh të lëndës së parë minerare, sidomos të bakrit dhe të hekurit, me të cilët ishte i pasur territori i Ilirisë. Në shek. XI-IX p.e.sonë ilirët nuk e zotëronin ende mirë mjeshtërinë e përpunimit të hekurit dhe nuk është aspak e rastit që në varret e kësaj periudhe, objektet prej hekuri janë shfaqje tepër të rralla, ndërsa ato prej bronzi, të cilat në shumë pikëpamje zhvillojnë më tej traditën e kohës së bronzit, janë të shumta. Vetëm në shek. VIII-VII p.e.sonë prodhimi metalurgjik i hekurit arrin zhvillimin e tij të plotë tek ilirët. Ky metal e zëvendëson në një masë të ndjeshme bronzin, në prodhimin e armëve dhe të veglave të punës, të cilat tani bëhen më të forta dhe më me rendiment në punimet e ndryshme bujqësore dhe zejtare. Ky përmirësim i veglave të punës çoi për pasojë edhe në zgjerimin e mëtejshëm të prodhimit të shoqërisë ilire të kësaj kohe. Sendet metalike të kësaj faze të zhvilluar të epokës së hekurit, tregojnë se sa përpara kishte shkuar teknika e punimit të tij. Për këtë dëshmojnë format e bukura dhe nganjëherë shumë të përsosura të armëve dhe sidomos të stolive, të cilat nënkuptojnë dhe procese pune mjaft të ndërlikuara, si edhe vetë zbukurimi i pasur gjeometrik i këtyre objekteve të punuara me mjeshtëri dhe me një radhitje simetrike të motiveve. Kjo pasqyrohet më në fund edhe në vetë trajtimin plastik të figurave prej bronzi në trajta njerëzish, kafshësh e zogjsh. Përpunimi i metaleve ishte përqendruar kryesisht në qendrat metalurgjike të Ilirisë. Të tilla ishin në vendin tonë, p.sh. zona e Mirditës dhe e Matit, ku janë përcaktuar edhe vendet e shkrirjes së bakrit, si zona e Kukësit, ajo e Korçës, e njohur për punimin e metaleve që në kohën e bakrit dhe të bronzit etj. Prania e qendrave të ndryshme për punimin e metaleve në Iliri duket edhe në vetë karakterin e diferencuar tipologjik të prodhimeve të këtyre qendrave. Në to prodhohej jo vetëm për të plotësuar nevojat e brendshme të fisit ose të një krahine më të madhe, por edhe për t’u përdorur si mall këmbimi. Përparime të dukshme vihen re në këtë kohë edhe në poçeri, e cila qëndron nga pikëpamja e teknikës, e formave dhe e trajtimit të dekorit të saj, më lart se poçeria e epokës pararendëse të bronzit. Duke filluar nga shek.VI p.e.sonë, mbase edhe pak më parë, në krahinat jugore të Ilirisë, kalohet gradualisht nga punimi me dorë të lirë i enëve prej balte, në prodhimin e tyre me çark. Prodhimet e para i kemi nga vendbanimi i Trenit (shek.VII). Një pjesë e madhe e poçerisë vendore të kohës arkaike e zbuluar në varrezat tumulare të Kuçit të Zi të Korçës, del e punuar me çark. Një dukuri e tillë vihet re edhe në zonën e Matit e të Kukësit. Futja e teknikës së re në prodhimin e enëve, bëri që poçeria të shndërrohet në një degë të veçantë zejtarie, me të cilën merreshin mjeshtra të specializuar në këtë fushë të prodhimit. Zhvillimi i madh i degëve të ndryshme të prodhimit bujqësor dhe zejtar, bëri që të zgjeroheshin në këtë kohë edhe më tepër marrëdhëniet ekonomike ndërfisnore, si edhe midis popullsisë ilire dhe atyre të vendeve fqinje ose më të largëta. Në këtë drejtim ndihmoi shumë dhe pozita e favorshme gjeografike e territorit të Ilirisë, e ndodhur midis botës mesdhetare dhe Evropës Qendrore, si edhe rrugët e tij të hapura të komunikimit natyror, tokësor dhe detar. Këto marrëdhënie pasqyrohen qartë në prodhimet e ndryshme të zejtarisë greke apo në imitacionet lokale të modeleve të tyre, në stolitë e tipave italikë ose në qelibarin me prejardhje nga Baltiku. Nga ana tjetër, stolitë dhe armët tipike ilire që gjenden në Traki, Maqedoni, Itali ose në Greqi janë dëshmi tjetër e gjallë e këtyre lidhjeve reciproke tregtare që ekzistonin midis ilirëve dhe vendeve të tjera përreth. Një zhvillim të madh morën veçanërisht shkëmbimet tradicionale me Greqinë sidomos pas shek. VIII p.e.sonë, me themelimin e kolonive helene në brigjet e Ilirisë. Shtrirja e territorit të Ilirisë gjatë brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit krijonte mundësinë për një hov të madh të lundrimit. Në fillim të epokës së hekurit ilirët përshkonin me anijet e tyre të shpejta ujërat e këtyre deteve duke kaluar deri në brigjet perëndimore të Greqisë dhe në ato jugore të Italisë. Disa prej fiseve ilire, si mesapët dhe japigët, u vendosën përgjithmonë në brigjet e Italisë së Jugut. Shumë aktivë në këtë veprimtari të hershme lundruese u treguan sidomos liburnët, të cilët themeluan edhe vendbanime të veçanta në ishullin e Korkyrës, si dhe në brigjet e Gadishullit Apenin.
Lindja e pronës private dhe diferencimi shoqëror
Përparimet që u bënë në degët e ndryshme të ekonomisë gjatë epokës së hekurit sollën ndryshime edhe në vetë strukturën e shoqërisë ilire. Baza e këtyre ndryshimeve u bë prona private, e cila filloi të shfaqet tek fiset ekonomikisht më të zhvilluara, në fillim në blegtori e zejtari e më pas edhe mbi tokën. Hesiodi, duke folur për kopetë e mëdha në Helopi, shënon se ato ishin pronë e njerëzve të veçantë. Karakteri dhe shkalla e zhvillimit të zejtarisë dëshmon gjithashtu për praninë në këtë fushë të pronësisë private. Dukurinë e pronësisë për tokën e kemi të dëshmuar më vonë dhe duket se ajo ndjek një rrugë më të ngadaltë. Zakoni i ndarjes së tokës çdo tetë vjet, që na kumtohet nga Straboni për dalmatët, është një dëshmi që tregon se zotërimi periodik i saj ishte një hallkë e ndërmjetme në procesin e formimit të pronës private. Forcat kryesore të prodhimit të shoqërisë ilire në këtë kohë ishin bujqit dhe blegtorët e lirë, anëtarë të thjeshtë të fisit. Këtyre u shtohet edhe një shtresë e re, më e kufizuar, ajo e zejtarëve. Nga ana tjetër, nga masa e gjerë e popullsisë, fillon të veçohet si një shtresë më vete aristokracia fisnore, e cila, duke u shkëputur nga prodhimi dhe nëpërmjet përvetësimit të pasurisë së përbashkët, vihet në një pozitë të privilegjuar derisa bëhet dalëngadalë zotëruese e pronave të mëdha tokësore dhe blegtorale. Ajo gradualisht mënjanon organet demokratike të fisit dhe uzurpon pushtetin. Nga burimet e shkruara më të hershme, siç është eposi homerik, shihet se në disa nga fiset ilire ekzistonte, tanimë, diferencimi shoqëror, të paktën në shekujt VIII-VII p.e.re kur u krijuan “Iliada” e “Odisea”. Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve paionë në luftën e Trojës kundër ahejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia pjellore” me prijësit e ahejve dhe të trojanëve. Kjo pa dyshim flet për një gjendje sociale pak a shumë të ngjashme me atë të fiseve fqinje të Greqisë. Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ta dërguar atë në Itakë. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njërin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të thesprotëve. Këta kishin anijet e veta e njerëz që u shërbenin. Shumë kuptimplotë në këtë drejtim është dhe një tregim i Herodotit, sipas të cilit, Klistheni, kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570 p.e.sonë) të gjithë burrat që do ta ndienin veten të denjë për të pasur për grua të bijën e tij Agaristën, midis atyre që u paraqitën tek tirani qe edhe një farë Alkoni nga Molosia. Sipas këtij tregimi, ky molosas duhet të ketë qenë nga një familje princore ose shumë e pasur, që të pretendonte për të lidhur krushqi me një skllavopronar të madh të Greqisë së asaj kohe, siç ishte Klistheni. Të dhënat arkeologjike nga varrezat tumulare të luginës së Drinos, pellgut të Korçës dhe Ohrit (Trebenisht), zonës qendrore ilire të Glasinacit etj., dëshmojnë gjithashtu se në shek. VIII-V p.e.sonë, diferencimi shoqëror në gjirin e shoqërisë ilire ishte bërë mjaft i theksuar dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto varreza ndeshen, krahas varreve me inventar të varfër, edhe varre ku të vdekurin e shoqëronin armë të kushtueshme, sende luksi prej ari e argjendi dhe objekte të tjera të importuara nga viset përreth, që i takonin shtresës së pasur të aristokracisë fisnore.
Federatat fisnore
Zhvillimi i pronës private, që çoi në thellimin e diferencimit social, u bë burim konfliktesh në shoqërinë ilire të shek. VIII-V p.e.sonë. Në këtë kohë morën përpjesëtime të mëdha luftërat ndërfisnore dhe inkursionet plaçkitëse për det e tokë, që arrinin deri në Greqi dhe në brigjet e përtejme të Adriatikut. Të tillë kanë qenë inkursioni i enkelejve për plaçkitjen e thesarit të Delfit ose ato të detarëve liburnë, të cilët me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta zotëruan për një kohë brigjet e Adriatikut, që nga Korfuzi deri në brigjet italike. Gjendja e krijuar nga këto luftëra dhe inkursione, që i sillnin aristokracisë fisnore ilire të ardhura të mëdha, gjen shprehjen e vet në veprimtarinë e gjerë të ndërtimit të vendbanimeve të fortifikuara dhe në zhvillimin e armatimeve, sidomos të armëve të reja, siç ishin shpatat, hanxharët dhe heshtat prej hekuri që janë gjetje të rëndomta në varret e luftëtarëve ilirë dhe të mburojave të paionëve, të përkrenareve e frerëve të kuajve që përbënin pajisjet e veçanta të aristokracisë luftarake. Në procesin e këtyre konflikteve, fiset e vogla ilire filluan të lidhen dhe të formojnë gjatë veprimeve të tyre të përbashkëta në luftërat agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i shek.VII p.e.sonë, federatat e para. Një federatë e tillë ishte ajo e taulantëve, që nën mbretin Galaur dhe më pas, gjatë shek. VII-VI p.e.sonë invadoi disa herë Maqedoninë duke i shkaktuar asaj dëme të rënda dhe sakrifica të mëdha në njerëz. Gjatë shek. VI-V p.e.sonë federata të tilla formuan edhe disa fise të tjera, si molosët, thesprotët, kaonët, parauejtë, orestët, lynkestët, paionët, dardanët etj. Në krye të federatës qëndronte mbreti, i cili në burimet quhet basileus. Në disa raste si tek kaonët e thesprotët vendin e tij e zinte një njeri i zgjedhur çdo vit nga gjiri i fisit sundues të federatës. Në burimet e fundit të shek.V vihet re se funksioni i basileut nuk i takonte më prijësit më të aftë ushtarak, por ishte bërë i trashëgueshëm dhe pushteti e autoriteti i tij ishte rritur mjaft si brenda fisit e lidhjes fisnore, ashtu dhe jashtë tij. Në bazë të këtij fuqizimi të prijësve ushtarakë dhe të basilejve qëndronte gjithnjë pasuria që vinte duke u shtuar përherë e më shumë në sajë të luftërave. Ata vinin nga shtresa e pasuruar e shoqërisë fisnore ilire, e cila dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë së thjeshtë. Ajo e konsideronte si një gjë të turpshme të merrej me punimin e tokës, me mbarështimin e bagëtisë, me prodhimin zejtar etj. Në këto punë ishin të angazhuar vetëm prodhuesit e vegjël, masa e gjerë e fshatarëve të lirë ose gjysmë të lirë. Zanati më i nderuar për ta ishin lufta, gjuetia, garat sportive etj., skenat e të cilave na janë transmetuar përmes gjuhës së gjallë artistike në objektet e bronzta të zbuluara në krahinat veriore ilire apo në kallcat e Glasinacit. Në gjysmën e dytë të shek. V p.e.sonë disa nga federatat ilire kishin arritur një stad mjaft të përparuar në zhvillimin e tyre politik. Taulantët, fiset ilire, fqinje të Maqedonisë dhe ato më jugore: kaonët, thesprotët e molosët merrnin pjesë në ngjarje të tilla politike të historisë së botës së Mesdheut siç ishte lufta e Peloponezit. Taulantët ndërhyjnë me këtë rast në luftën civile që shpërtheu në Epidamn në vitin 436 p.e.sonë. Në këtë luftë ata morën nën mbrojtje oligarkët e dëbuar nga demosi i qytetit dhe qenë një nga ato forca që në aleancë me Athinën, kundër lidhjes së Peloponezit, ndihmuan aristokracinë epidamnase të rikthehet në pushtet. Kjo ngjarje shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e kësaj kolonie greke, sepse fatet e saj do të lidhen paskësaj gjithnjë e më shumë me botën ilire. Dy njoftime të tjera kanë të bëjnë me ngjarjet e vitit 423. I pari bën fjalë për kaonët, thesprotët, molosët dhe disa fise të tjera më të vogla fqinje të molosëve, që marrin pjesë nga ana e lakedemonëve në fushatën për të nënshtruar Akarnaninë dhe për ta shkëputur atë nga aleanca me Athinën, fushatë që përfundoi pa sukses. Njoftimi i dytë lidhet me luftën që zhvilluan ilirët e krahinave juglindore kundër maqedonëve. Fisi ilir i lynkestëve ishte prej kohësh në konflikt me sundimtarët maqedonë, të cilët synonin ta nënshtronin. Gjatë luftës greko-persiane mbreti maqedon i ndihmuar nga persët kishte mundur t’u impononte lynkestëve sovranitetin e tij. Në kushtet e reja të luftës së Peloponezit, kur shteti maqedon ishte ende i pakonsoliduar dhe sundimtari i tij Perdika II përplasej sa në njërën anë në tjetrën, duke u lidhur herë me Athinën e herë me Spartën, mbreti i lynkestëve, Arrabeu, shfrytëzoi këtë situatë për t’u shkëputur nga varësia maqedone. Në përpjekjet e tij për të rivendosur gjendjen e mëparshme, Perdika kërkoi ndihmën e aleatit të vet, komandantit të forcave lakedemone, Brasidës, të cilit i kishte besuar luftën kundër Athinës në teatrin halkidik të veprimeve ushtarake. Një ekspeditë e fuqishme e përbërë nga forcat e Perdikës dhe të Brasidës provoi të thyente Arrabeun me anën e bisedimeve dhe të bëhej aleat i lakedemonëve. Por përpjekjet dështuan dhe bashkë me to dështoi edhe ekspedita kundër lynkestëve. Në kundërshtim me vullnetin e Perdikës, Brasida nuk guxoi të sulmonte dhe vendosi t’i tërhiqte forcat. Pak kohë më vonë Perdika e bindi përsëri Brasidën për një fushatë të re kundër lynkestëve; forcat maqedone e ato lakedemone të përbëra prej 3 000 hoplitësh, 1 000 kalorësish dhe një numër barbarësh sulmuan Arrabeun. Por këtë radhë lynkestët kishin siguruar ndihmën e vëllezërve të tyre ilirë. Forcat e bashkuara të ilirëve dhe lynkestëve e shpartalluan veçmas mbretin maqedon dhe e detyruan të largohej në pështjellim të plotë, duke braktisur aleatin e tij. Kështu Brasida u gjend i rrethuar keq dhe vetëm me përpjekje të mëdha mundi t’i shpëtojë forcat e veta nga asgjësimi i plotë. Kjo luftë ndryshoi krejt drejtimin që kishin marrë ngjarjet në frontin halkidik. “I detyruar nga rrethanat e rënda,- shkruan Tukididi, - Perdika u përpoq të hynte sa më parë në marrëveshje me athinasit dhe t’i hiqte qafe peloponezasit”. Duke i përshkruar këto ngjarje të shek. V, Tukididi na ka lënë edhe një shënim me mjaft interes për vlerësimin e jetës social-politike të ilirëve. Prej fjalimit, që sipas tij Brasida u mbajti ushtarëve të tij para tërheqjes, ne mësojmë se shoqëria ilire ruan ende në fundin e shek.V mbeturina të theksuara të rendit fisnor. Por midis njoftimeve të autorëve që bëjnë fjalë vetëm për inkursionet e ilirëve dhe atyre të Tukididit, që i përmend ata si një forcë aktive, pjesëmarrëse në ngjarjet më të rëndësishme të kohës, ku luajti ndonjëherë një rol jo pa rëndësi, ka një ndryshim të dukshëm. E re në njoftimet e Tukididit është se lufta e federatave ilire si në rastin e ndërhyrjes në luftën civile të Epidamnit, ashtu dhe në luftën kundër maqedonëve dhe aleatëve të tyre peloponezas, nuk kishte më karakterin e një inkursioni grabitqar, por synime politike të caktuara dhe kjo nënkupton një stad mjaft të avancuar të organizimit të tyre politik qoftë edhe në kuadrin e një federate fisnore. I gjithë ky zhvillim social-politik, që vihet re, veçanërisht tek fiset ilire të jugut në fund të shek.V p.e.sonë, pasqyron qartë një shoqëri, që jetonte etapën e fundit të organizimit fisnor, atë kalimtare për në rendin skllavopronar. Mbi bazën e kësaj shoqërie do të lindin në fundin e shek. V - fillimin e shek. IV p.e.sonë formacionet e para shtetërore ilire.